Për të kremtuar festën e Vitit të Ri, shumë nga qytetarët përpos mjeteve piroteknike, përdorin edhe armët e zjarrit. Kjo është një dukuri shqetësuese, pasi që cenon sigurinë e njerëzve përreth, të cilët në shumë raste e kanë pësuar nga plumbat qorr. Këto veprime ata shpesh i ‘dokumentojnë’ edhe me pamje të incizuara të cilat i shfaqin në rrjete sociale.
Pikërisht për këtë arsye, katër anëtarë të një familjeje në Prizren kanë përfunduar në Polici pasi publikuan video ku shiheshin duke gjuajtur me armë në natën e ndërrimit të motmoteve.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Alban Shala, Agnesa Gashi, Xhelbrim Gashi dhe Ylki Gashi.
Sinjali ka siguruar edhe pamjet të cilat i futën në telashe katër të rinjtë nga fshati Hoçë e Qytetit në Prizren.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa dy armët e përdorura nga të njëjtit janë sekuestruar nga ana e Policisë.
Sipas të njëjtave burime, të dyshuarit gjatë dhënies së deklaratave e kanë pranuar veprën për të cilën dyshohen.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar rasti si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.