Mëngjesin e 3 janarit të këtij viti, në parkingun e lokalit “Kobra City” ndodhi një vrasje, ku dyshohet që dorasi është pronari i lokalit, Dibran Hoxha.
Nga ky konflikt mbeti i vrarë një shtetas i Shqipërisë nga Kukësi, ndërsa një tjetër i plagosur.
Për këtë rast janë arrestuar 6 të dyshuar, prej tyre edhe i dyshuari kryesor, Dibran Hoxha.
Shkak i këtij konflikti dyshohet se është pagesa e një fature.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtetasve të Shqipërisë derisa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.
Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, Dibran Hoxha po dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë si dhe mbajtje të pa-autorizuar të armës.
Në dosje thuhet se Dibran Hoxha dyshohet se në natën kritike kishte asgjësuar provat, duke e hequr pajisjen e “Divijarit ” nga lokali i tij, Kobra City, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi incizimeve që do të shërbenin si provë në gjykim.
Ndërsa të dyshuarit e tjerë në këtë rast janë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badallaj, Kujtim Gashi dhe Enver Amrullahi.
Të njëjtit dyshohen se në datën dhe kohën e njëjtë kanë marrë pjesë në rrahje në po të njëjtin lokal ku kishte mbetur i vrarë një shtetas i Shqipërisë ndërsa një tjetër kishte mbetur i plagosur.
Me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje.