Qeveria e Britanisë së Madhe ka ndarë një fond fillestar prej 3.2 milionë funtesh ose 4.5 milionë dollarësh amerikanë si pjesë e ndihmave urgjente humanitare për civilët në Gaza.
Fondet do t’i dhurohen një agjencie të ndihmave të Kombeve të Bashkuara për të ofruar ndihmë në sigurimin e ushqimit, ujit dhe strehimit emergjent për palestinezët e prekur nga dhuna që zgjati 11 ditë.
“Gjendja humanitare në Gaza ka qenë tashmë shqetësuese edhe para konfliktit”, tha qeveria britanike. Tani, përqindja e palestinezëve në Gaza që jetojnë në varfëri pritet të rritet nga 53 në 64 për qind.
Agjencitë e ndihmave thonë se rreth 50 mijë njerëz janë zhvendosur shkaku i luftimeve. Një pjesë e tyre është strehuar në shkollat që menaxhohen nga Kombet e Bashkuara.
“Eskalimi i dhunës dhe humbja e jetëve në Izrael dhe në Territoret e Pushtuara Palestineze na ka tmerruar të gjithëve. Të dyja palët duhet të punojnë për një armëpushim të menjëhershëm për ta parandaluar humbjen e mëtejme të jetëve dhe përkeqësimin e gjendjes humanitare”, deklaroi ministri britanik për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, James Cleverly. /Gazeta Enigma/