Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje.
Protesta e paralajmëruar për nesër pritet të mbahet nga ora 12:00 para Qendrës së Kulturës në Shtërpcë.
Jetviq ka shkruar se ndonëse barrikadat i hoqën, inat ka ende tek ta.
“Protesta jonë kundër asaj që ndodhi me Stefanin dhe Miloshin, gjithçka që po na ndodh së fundmi, nuk ka mbaruar. I hoqëm bllokadat, por ka ende inat te të gjithë ne. Të dielën më 8 janar në ditën e dytë të Krishtlindjeve mblidhemi në Shtërpcë përballë Qendrës se Kulturës në orën 12:00. Të bashkuar dhe së bashku do të dërgojmë një mesazh se jemi të lodhur nga terrori dhe urrejtja, se duam vetëm paqe dhe të jemi vetvetja” – ka shkruar Jevtiq në rrjetin social “Facebook”.
Dje ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Bosko Odaloviq, kirurg në Spitalin e Garaçanicë, tha për mediat se të dy serbët e plagosur në afërsi të Shtërpcës, janë pranuar me plagë nga armë zjarri dhe janë duke trajtuar në Spitalin e Graçanicës.
Ai tha se gjendja e të plagosurve është stabile.
Më pas, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan.