Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë të dashurën e tij.
Sinjali mëson se 46-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se me të dyshuarin ishte në lidhje për 7 vjet dhe i njëjti para një jave ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Ajo ka deklaruar se i dyshuari e ka kërcënuar se nëse e ka tradhtuar me dikë, do e vrasë.
Përballë kësaj situate ajo është ndjerë e kërcënuar dhe e frikësuar, prandaj edhe ka kërkuar që të strehohet në Strehimore.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë ka mohuar ta ketë kërcënuar të dashurën e tij.
Sipas 36-vjeçarit, problemet kanë filluar pasi viktima ka kuptuar se motra e tij i aka dërguar vizë për të udhëtuar jashtë vendit.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.