Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shkuar në Meksikë përpara takimeve dypalëshe me presidentin meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau, si dhe një takim të përbashkët të tre liderëve të Amerikës së Veriut, të quajtur samiti i “Tre Miqve”.
Çështjet e migrimit, drogave të paligjshme, ndryshimeve klimatike, prodhimi dhe tregtia do të jenë temat që priten të diskutohen në dy ditët e takimeve.
Ndërkohë, grupi i të drejtave Amnesty International u bëri thirrje liderëve që të diskutojnë edhe për “të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve”.
Në një postim në Twitter pas arritjes në Meksikë, Biden tha se takimi “do të thellojë koordinimin dhe do të avancojë prioritetet e përbashkëta për Amerikën e Veriut”.
Lopez Obrador, ndërkohë, u tha gazetarëve:”Integrimi duhet të forcohet”.
Vizita filloi me mbërritjen e presidentit amerikan të dielën vonë në Aeroportin Ndërkombëtar “Felipe Angeles”.
Biden u përshëndet në aeroport nga udhëheqësi meksikan, duke shtrënguar duart në pistë dhe duke ecur së bashku në një tapet të kuq të rrethuar nga ushtarë. Më pas ata udhëtuan me makinë një orë së bashku në qendër të qytetit të Meksikos.
Biden dhe Lopez Obrador do të takoheshin sërish ballë për ballë të hënën pasdite në Pallatin Kombëtar, përpara se të bisedonin me Trudeau. Të martën, treshja planifikoi të mbante Samitin e 10-të të Liderëve të Amerikës së Veriut, shkruan AlJazeera.