Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur të premten të Qeverisë së Kosovës janë marrë dy vendime të rëndësishme sa i përket arsimit.
Nagavci në një konferencë për media, deklaroi se kanë arritur marrëveshje me Qeverinë e Luksemburgut, ku kjo e fundit do të mbështet arsimimin profesional në Kosovë, më 8 milionë e gjysmë euro, transmeton Gazeta Enigma.
“U miratua shqyrtimi i nismës për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Luksemburgut, në trajnimin profesional në Kosovë.Marrëveshje që na mundëson avancimin profesional në Kosovë, bëhet fjalë për një marrëveshje në të cilën qeveria e Luksemburgut mbështet arsimin profesional në Kosovë, me një vlerë prej 8 milionë e gjysmë euro. Kurse nga buxheti ynë investohen 300 mijë euro”, deklaroi ajo.
Ministrja po ashtu tha se kjo marrëveshje ka për synim arsimin profesional në Kosovë, me pajisje e gjëra tjera.
Gjithashtu, ministrja tha se kanë dërguar për miratim në Kuvend, emrat e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
“U miratua vendimi për dërgimin në ratifikim në Kuvend të shtatë anëtarëve të Këshillit shtetëror të cilësisë, i cili është edhe bordi i Agjencisë Kosovë për akreditimin”, theksoi ajo.
Nagavci pohoi se pret që të miratohen në Kuvend anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë./Gazeta Enigma/