Për më shumë se dy orë është punuar për t’u lokalizuar zjarri në objektin e Qendrës së Kulturës në fshatin Mirosalë të Ferizajt.
Kryetari i fshatit, Përparim Bytyqi, në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se zjarrfikësit kanë dalë me kohë në vendin e ngjarjes dhe se nuk ka persona të lënduar nga shpërthimi zjarrit.
“Është fat se të lënduar nuk kemi, kjo është më e mira. Por ka dëme të mëdha. Zjarrin e kanë parë disa fëmijë që janë këtu të shkollës afër dhe e kanë lajmëruar drejtorinë e shkollës. Më pas, fëmijët u larguan, dhe është lajmëruar edhe policia e zjarrfikësit që kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Bytyqi.
Rastin në fjalë e kanë konfirmuar edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Ferizaj, të cilët kanë bërë të ditur se nga zjarri u përfshi edhe një pjesë e qendrës së mjekësisë familjare, pasi ndajnë të njëjtin objekt me Qendrën e Kulturës.
“Sot reth orës 15:00 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në fshatin Mirosale të Ferizajt është një incident zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, atje ishte kapluar nga zjarri shtëpia e kulturës dhe një pjesë e qendrës së mjekësisë familjare.Lidhur me rastin janë njoftuar Njësia e Hetimeve dhe krinteknikët e stacionit të cilët kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. Ndërkohë zjarrëfikësit e kanë lokalizuar zjarrin , nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në përgjigje.