Refuzohet kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia, që kërkonte kufizime dhe monitorim të komunikimeve të Pjetër Shalës.
Sipas vendimit të gjykatës, më 4 nëntor 2022, ZPS i kërkoi Panelit të urdhërojë kufizime në komunikimet jo të privilegjuara të Pjetër Shalës përpara fillimit të gjykimit.
“ZPS-ja kërkoi në veçanti që: (i ) komunikimet e të Akuzuarit – me telefon, mjete të tjera elektronike, korrespondencë ose personalisht – me persona jashtë ambienteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara, të monitorohen në mënyrë aktive; (ii) komunikime të tilla kufizohen tek individët e miratuar paraprakisht nga Paneli; dhe (iii) i Akuzuari të urdhërohet që të mos ndajë asnjë material konfidencial ose ndonjë informacion tjetër identifikues me askënd jashtë ekipit të tij të mbrojtjes”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, mbrojtja e ka kundërshtuar kërkesën e ZPS-së dhe ka thënë se është e pabazuar, e pajustifikuar dhe disproporcionale, andaj ka kërkuar nga trupi gjykues ta refuzojë atë.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.