Anëtarja e kryesisë së rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Jona Arifi, në një konferencë për media ka reaguar lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit në institucionet arsimore dhe për rastet e shpeshta të raportuara të dhunës fizike, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, raporton Gazeta Enigma.
Arifi ka theksuar se Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh shqetësim të thellë lidhur me këtë situatë e cila ka marrë përmasa alarmante për secilën familje në Kosovë dhe kërkon veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e të gjitha rasteve të ngacmimeve dhe dhunës ndaj nxënësve.
Ajo ka hedhur akuza ndaj tri qeverive që janë ndërruar përgjatë periudhës së pandemisë që nuk kanë bërë asgjë për t’iu siguruar nxënësve mësim adekuat, si pasojë e së cilës do të kemi një vit të humbur shkollor dhe me pasoja afatgjata.
“Mungesa e ambienteve të përshtatshme për nxënësit dhe paraqitja e këtyre rasteve ndikojnë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe në zhvillimin dhe mirëqenien mentale dhe social të nxënësve”.
“Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë, që para së gjithash vjen nga nxënësit dhe prindërit e tyre. Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës bën thirrje për çasje pro aktive, për politika të menagjimit të shkollave që krijojnë mjedise miqësore të sigurta dhe jopërjashtuese për të gjithë nxënësit”, ka thënë Arifi.