Lëvizja Vetëvendosje në Kaçanik ka ngritur një varg akuzash për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike nga ekzekutivi i komunës. Sipas këtij subjekti opozitar, Komuna që udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka dështuar të ofrojë qeverisje të mirë për qytetarët gjatë vitit 2022.
Sipas LVV-së, “viti 2022 është karakterizuar me ndarje shpërblimesh për mercenarët politikë dhe operatorët ekonomikë të angazhuar në zgjedhje me mision për ta penguar ndryshimin në Komunën e Kaçanikut”.
“Komuna e Kaçanikut gjatë vitit 2022 vazhdoi të shpërblejë me shuma enorme kompanitë e preferuara të saj, ndërsa në anën tjetër vazhdojnë të çirren e vajtojnë me retorikën e zakonshme ‘kemi buxhet të mbijetesës’. Në fakt, Kaçaniku nuk ka buxhet të mbijetesës, por ka keqmenaxhim, keqplanifikim e keqpërdorim të buxhetit”, ka thënë Jeton Rraka, kryetar i VV-së në Kaçanik.
Subjekti që ai drejton, nëpërmjet një shkrese, ka publikuar disa aktivitete me të cilat komuna e Kaçanikut ka shpenzuar paranë publike gjatë vitit 2022. Vetëvendosje ka përmendur kontratën për mirëmbajtje të rrugëve lokale dhe atë për sheshin e qytetit.
“Kontrata: Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve lokale, vlera 475.000.00 euro (kontratë dy-vjeçare), ku sipas Raportit Financiar 9-mujor 2022 janë shpenzuar hiq më pak se 226.000,00 Euro, ndërsa në anën tjetër Drejtori i DSHP-së akuzonte qytetarët për mungesë vullnetarizmi për të pastruar rrugët e trotuaret. Projektimi i Sheshit të Qytetit: kompania projektuese u shpërblye me 19.900,00 euro, ndërsa projektimin e hartuan studentët e UBT-së në orët e praktikë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
VV-ja ka thënë se Komuna e Kaçanikut ka shpallur tender për furnizim me lëndë djegëse në fund të vitit 2022 edhe pse e ka pasur kontratën dyvjeçare të nënshkruar një vit më herët.
Partia opozitare ka akuzuar pushtetin edhe për asfaltime të “rrugëve private dhe oborreve të shtëpive të militantëve”.
“Komuna ende vazhdon të jetë e mbyllur për qytetarët dhe palët e interesuara për çasje në dokumente zyrtare, madje janë në gjendje të paguajnë edhe dënim në vlerë 4.000.00 euro, vetëm të mos lëshojnë dokumentet me të cilat përfundojnë të dënuar në gjykatë”, thuhet më tej në komunikatë, duke shtuar se komuna vazhdon të jetë jotransparente edhe në faqen e saj zyrtare, në të cilën sipas opozitës do të duhej të publikohen të gjitha kontratat dhe Plani i Prokurimit.
Lidhur me kritikat e ngritura nga opozita, pyetjeve të KOHËS nuk u është përgjigjur kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.