Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nëse në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, fitojnë forcat që i përfaqëson kryeministri në largim, Dritan Abazoviq, dhe forcat që siç i ka quajtur ai pro-ruse e pro-serbe, atëherë kjo do të ishte tejet shqetësuese për Malin e Zi. Sipas tij kjo do të mund të sillte edhe tërheqjen e njohjes së shteti të Kosovës nga Mali i Zi.
“Mali i Zi dita ditës është duke shkuar drejt radikalizmit, shteti i Malit të Zi është i dridhur në themel, kemi forcat pro-serbe të cilat fare lehtë mund ta sjellin një vendim qeveritar që të hiqet pranimi i shteti të Kosovës, që është tejet shqetësuese për ne, ne forcat pro-evropiane jemi kundër ‘Ballkanit të Hapur’, mirëpo për çudi Abazoviq e ka edhe një erë pas shpinë prej Tiranës”, ka theksuar Zneka.
Sipas tij “Ballkani i Hapur”, është një thikë pas shpinës për Kosovën. “Nëpërmjet ‘Ballkanit të Hapur’ edhe Kosovë e edhe Mali i Zi do të hynin në një sferë të ndikimit politik që është tejet kundër shtetit të Kosovës dhe tejet kundër shtetit të Malit të Zi”, ka thënë Zenka.
Sipas tij politika serbo-ruse në Ballkan synon shpërbërjen e shtetit të Malit të Zi në mënyrë që Serbisë t’i sigurohet dalja në det dhe që të shpërbëhet shteti i Kosovës dhe të bie në ndikimin e të bëhet pjesë e Serbisë.
Sipas tij kjo në realitet është vështirë e realizueshme, por ia ka theksuar se nëse në zgjedhjet parlamentare ngadhënjejnë forcat serbe, atëherë si kurrë më herët Mali i Zi është në rrezik që të humb shtetësinë.