Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave.
Gjatë ditës së djeshme një vjedhje ka ndodhur në qendrën tregtare ETC në Suharekë, ku një person dyshohet se ka marrë mbi katër pako të çamçakëzëve Orbit.
Sinjali mëson se i riu s’ka arritur që t’ia mbathë që aty pasi që është hetuar nga punëtorët e sigurimit me të cilët është konfrontuar fizikisht.
Sipas burimeve gjatë tentativës për t’u larguar që aty, i dyshuari ka sulmuar dy punëtorët e sigurimit me ç’rast njëri nga ta ka pësuar frakturë në brinjë dhe krahë. Dy viktimat janë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren ku edhe po vazhdojnë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë 25-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Lëndim trupor’.