Nuk i shihet fundi – dita e 333-të e luftës Rusi-Ukrainë

Nuk i shihet fundi – dita e 333-të e luftës Rusi-Ukrainë

Sot është dita e 333-të e fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Pothuajse një vit më pas, ende nuk dihet se në çfarë trajektore po shkon lufta apo nëse do të përfundojë së shpejti.

Rusia e filloi furishëm pushtimin, por hasi në vetëmbrojtje të fortë të ukrainasve, diçka që e habiti edhe botën perëndimore.

Qëndresa e fortë e Ukrainës bëri që fuqitë e mëdha botërore të fillojnë dërgimin e armëve të shumta, me SHBA-në që prin për donacionet më të mëdha, si në artileri, ashtu edhe me fonde.

Rusia gjithnjë ka akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj se dërgimi i armëve në Ukrainë është de-fakto përfshirje në luftë, me presidentin Vladimir Putin që shkoi deri në atë pikë sa nuk e mohoi edhe përdorimin e armëve bërthamore.

Që nga fillimi i luftës, mendohet se numra i viktimave nga ata civilë është mbi shtatë mijë, prej tyre mbi 400 fëmijë.

Ndërkohë, numri i ushtarëve të vrarë është shumë më i lartë. Sipas vlerësimeve nga zyrtarë të lartë SHBA-së, numri i ushtarëve të vrarë ukrainas dhe atyre rus, është rreth 200 mijë, me rreth 100 mijë të vrarë nga të dy shtetet.

Bota demokratike dhe ajo diktatoriale po bëhen gati për një pranverë të përgjakshme. Edhe Rusia, edhe Ukraina, kanë paralajmëruar ofensiva të reja me artileri të rënda në pranverë, me Ukrainën që përflitet se synon edhe marrjen nën kontroll të Krimesë, rajonit që u aneksua nga Rusia më 2014, shkruan Klankosova.tv.

SHBA sa vjen e shton ndihmën për Ukrainën, me ndihmë nga shtetet e Evropës Perëndimore. Kur thuhet kjo, Gjermania ka hezitimet e saj. Kohëve të fundit Gjermania dhe SHBA-ja janë përfshirë në një “kacafytje”, pasi Gjermania nuk po pranon të dërgojë tanket e saj Leopard në Ukrainë, pa i dërguar edhe SHBA tanket e tyre M1 Abrams – diçka që Pentagoni ka thënë për muaj të tërë se nuk ka ndërmend ta bëjë duke pasur parasysh kostot logjistike të mirëmbajtjes së tyre.

Vendet baltike i kanë thënë Gjermanisë që t’i dërgojë tanket “menjëherë” në Ukrainë, pas perceptimit të zvarritjes së këmbëve nga qeveria në Berlin.

Joe Biden tha se Ukraina do të marrë të gjithë ndihmën që i nevojitet, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me tanket.

Rreth 50 vende ranë dakord dje për t’i siguruar Kievit pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë, duke përfshirë automjete të blinduara dhe municione të nevojshme për të zmbrapsur forcat ruse.

Qoftë nëse Ukraina përfundimisht do të çlirohet apo nëse do të pushtohet nga Rusia, rindërtimi i saj do kërkojë kohë dhe mund. Ndërtesa, shtëpi, shkolla, spitale e gjithçka tjetër, në shumë qytete janë rrëzuar apo janë bërë të pabanueshme, për shkak të raketave të shumta që goditën ato.

Related Articles