Një i ri 24 vjeçar ishte gjykuar në St. Gallen një javë më parë. Ai akuzohej se kishte rrahur katër persona gjatë një zënke. Në një përleshje të mëvonshme, ai kishte plagosur rëndë edhe një burrë, transmeton albinfo.ch. Gjykata e Qarkut e St. Gallenit e ka dënuar atë me burgim dhe dëbim nga vendi.
Përveç kësaj, ai duhet të paguajë dëmshpërblime dhe pagesa si dhe shpenzimet procedurale në njësi gjashtëshifrore, shkruan 20minuten.ch.
Ndonëse procesi gjyqësor është mbajtur një javë më parë, shqiptimi i dënimit është bërë me shkrim, sot.
Mbrojtësi kishte kërkuar dënim me burg prej 37 muajsh dhe 400 franga gjobë për të akuzuarin. Prokurori publik ndërkaq ka kërkuar dënim me burg prej shtatë vjet e gjashtë muaj, gjobë me kusht prej 50 tarifash ditore nga 30 CHF, gjobë prej 400 CHF dhe dëbim nga vendi për 15 vjet.
Ajo që e bën të pazakonshëm këtë proces gjyqësor është e dhëna se gjatë gjykimit, i akuzuari ka kërkuar nga gjyqtari që ta dëbonte nga vendi në mënyrë që ai të mund të fillonte një jetë të re në Kosovë.
Dhe, gjykata tani ia plotëson dëshirën atij. Në vendimin e publikuar së fundmi me shkrim 24-vjeçari shpallet fajtor për lëndime të rënda, tentativa të shumta për lëndim të rëndë, sulm dhe vepra të tjera të ndryshme.
Kështu, kosovari duhet të mbajë burg për shtatë vjet e gjashtë muaj. Pas kësaj ai do të dëbohet nga vendi për 15 vjet dhe do të përfshihet në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS). Masa spitalore, siç kërkoi fillimisht prokurori publik në aktakuzë, nuk është urdhëruar.
24-vjeçari duhet të paguajë edhe dëmshpërblim dhe kompensim për një kompani sigurimesh dhe disa gjoba në shumën mbi 49 mijë franga, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, atij i vendosen edhe shpenzimet procedurale prej gati 80 mijë frangash. Kompensimet dhe pagesat e mëtejshme të kompensimit iu referuan gjykatës civile.
Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm.