Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak qëndroi për vizitë në Kosovë.
Ai u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi.
Pas këtij takimi, Lajçak ka thënë se u pajtuan që “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.
E, kjo i bie që me këtë të zbatohet edhe marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Albin Kurti ka deklaruar para mediave ka thënë se nuk do të tolerojnë që në këtë proces, Asociacioni i komunave më shumicë serbe të vihet si parakusht.
Lidhur me këtë për Front Online ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ai ka thënë se pozicionet nga ajo që u tha mbrëmë nga Lajçak e sot nga Kurti dallojnë.
“Nga takimi i mbrëmshëm dallon pozicioni nga ajo që është thënë sot sepse zbatimi i të gjitha marrëveshjeve dhe nuk mund të bëhet Asociacioni është në kundërshtim me njëra tjetrën”, ka thënë Haziri.
Dhe këtë e ndërlidh edhe me politikën e Kurtit.
“Kështu që politika e kryeministrit Kurti vazhdon një hapa e dy mbrapa edhe në raport me draftimin e raportit të statutit të Asociacionit po vazhdon me insistua dhe me hezitu në realizimin e kësaj marrëveshje që është e vitit 2013 respektivisht e vitit 2015. Kështu që është çështje e Qeverisë dhe në mandat të saj me e përballua krejt këtë situatë, por siç po shihet probleme serioze ka në koordinim me partnerët ndërkombëtar”, është shprehur Haziri.
I, pyetur se a do ta pranojë Kurti, Asociacionin, Haziri është shprehur shkurt.
“Është çështje e veprimit politik, nuk po shohim veprim politik nga z.Kurti”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ka thënë se nuk kanë nevojë as të mendojnë se si duhet të jetë Asociacioni.
“Ne nuk jemi në Qeveri dhe nuk kemi nevojë me mendua se si duhet të bëhet, sikur të ishim në ekzekutiv, atëherë ne do të mendonim dhe do të silleshim konform institucioneve tona dhe interesit të Kosovës”, është shprehur ai.
Asociacioni thuhet se do të punojë me autoritetet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave, si dhe do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në relacionet me autoritetet qendrore.
Po ashtu Asociacioni është paraparë që ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës e llogaridhënies dhe dispozitave të Ligjit mbi prokurimin publik.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.