Numri i rasteve të dhunës në familje ku janë viktima gratë e vajzat, ka marrë përmasa shqetësuese. Ajo çka e bën edhe më të rënduar situatën, është kur viktima të dhunës janë prindërit, të cilët denoncojnë fëmijët e tyre në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Pejë, ku një vajzë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar 45-vjeçarja, e cila ka deklaruar se vajza e saj menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur.
Pas më shumë se dy javësh në arrati, gjatë ditës së djeshme është arritur që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarës.
20-vjeçarja është arrestuar dhe është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe e njëjta të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.