Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar ngritje në platformën për renditjen e universiteteve në botë Webometrics.
Në raportin e fundit të Webometrics të publikuar në janar, universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka arritur të ketë një ngritje prej 352 vendeve, duke u bërë kështu universiteti me ngritjen më të lartë brenda vitit 2022 në krahasim me universitetet e tjera publike dhe ato private në Kosovë.
Pas këtij rangimi, ky universitet ka falënderuar “të gjithë personelin për punën dhe angazhimin për ta bërë UHZ-në një institucion me vlera, të dallueshëm dhe të përkushtuar për të ecur drejt arritjes së synimeve të tij strategjike”.
“Universiteti është duke u angazhuar në vazhdimësi në identifikimin e treguesve shtesë të cilët do ta mundësojnë renditjen edhe më të lartë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, dhe me kontrollimin e këtyre treguesve të tentohet që të ofrohet edhe integritet më i lartë akademik dhe cilësi për studentët”, thuhet në një deklaratë të universitetit “Haxhi Zeka”.
Webometrics publikon raportet e listimit të institucioneve të arsimit të lartë dy herë në vit, gjatë muajve janar dhe korrik.
“Me përcaktimin e strategjive nga menaxhmenti, të cilat janë konsideruar të nevojshme dhe të bazuara në metodologjinë e platformës Webometrics, në fillim të vitit 2022 janë përcaktuar rregulla të funksionimit të ueb faqes së Universitetit, si dhe është rritur dinamika e digjitalizimit të materialeve nga ky Universitet, duke llogaritur këtu edhe publikimet e stafit akademik gjë qëka ndikuar direkt në ngritjen e Universitetit gjatë vitit të fundit”, thonë më tutje nga UHZ.