Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për vendimin e Qeverisë për caktimin e koeficientit me vlerë prej 105 eurosh për punëtorët e sektorit publik.
Kjo parti thotë se partia në pushtet ka thyer premtimin “për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm pas rritjes së kostos së jetesës”.
“Mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, policët, ushtarët, nëpunësit civil – këto janë profesionet që janë themeli i shoqërisë sonë dhe kanë sakrifikuar më së shumti në kohët më të vështira për vendin tonë. Koeficienti i Qeverisë është një goditje e madhe për njerëzit e zakonshëm që përpiqen të përballojnë jetesën gjatë një krize të paprecedentë të kostos së jetesës”, thuhet në reagimin publik të LDK-së.
Por, LDK ka lajmëruar se do të dërgojë një amandament në Kuvend dhe do të punojë “për mbrojtjen e punëtorëve, dhe familjeve duke argumentuar domosdoshmërinë e një koeficienti më të lartë dhe pagave më të drejta për të përballuar këtë krizë”.