Kënga e titulluar ‘Tout l’Univers’, e cila u interpretua magjishëm nga këngëtari me prejardhje shqiptare, Gjon Muharremaj, i garantoi mbrëmë shtetit të Zvicrës vendin e tretë në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse në garën e madhe të muzikës evropiane, Eurovizion.
Të ngazëllyer nga ky prezantim i denjë që i bëri shtetit të tyre, Komuna Broc e Kantonit të Freiburgut në të cilin lokalitet jeton edhe këngëtari, ka vendosur që të organizojë një aheng gjatë kësaj verë për nder të ‘heroit të saj’, shkruan klankosova.tv.
Sipas kryetarit të Broc, data në të cilën do të organizohet kjo festë varet edhe nga vet agjenda e këngëtarit i cili tani është shumë i zënë si dhe nga zbutja e masave të pandemisë në mënyrë qe të mblidhen sa më shumë njerëz.
Këngëtari 22 vjeç që u duartrokit dhe u mbështet nga mijëra fansa të tij nga çdo kënd i botës, në natën finale të numrit të 65-të të Eurosong-ut, arriti që shtetin e Zvicrës përmes perfomances së tij ta renditë në vendin e tretë me 432 pikë, duke u paraprirë nga Franca me 499 pikë, si dhe Italia e cila e rrëmbeu çmimin e parë të këtij festivali me 529 pikë.