“Është e pamundur që të përgatitesh për një katastrofë të tillë.” Kështu u është kthyer presidenti i Turqisë kritikave për përgjigjen që qeveria e tij ka treguar deri më tani ndaj tërmetit.
Ndërsa fliste për mediat nga Hatay, një nga zonat më të prekura nga tërmeti, Recep Erdogan deklaroi se numri i viktimave në vend është rritur në 9,057.
Ata që janë shprehur se nuk kanë parë ekipe shpëtimi në disa zona, lideri turk i quajti provokatorë.
“Kjo është një kohë për unitet dhe solidaritet. Në kohë të tilla nuk mund t’i duroj njerëzit që zhvillojnë fushata negative për interesa politike.”
Erdogan pranoi disa mangësi në mënyrën sesi qeveria që ai drejton e menaxho situatën fillimisht, por theksoi se çdo gjë tani është nën kontroll.
Ndërkohë, sipas një shërbimi që monitoron internetin NetBlocks, aksesi në Twitter është kufizuar në Turqi. Kjo nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh. Në raste të emergjencave kombëtare, në Turqi ndodh që të bllokohet aksesi në mediat sociale.
Që prej tërmetit të së hënës, shumë përdorues u janë drejtuar mediave sociale për të shprehur pakënaqësitë e tyre mënyrën sesi shteti ka reaguar apo mungesën e ekipeve të shpëtimit në disa zona.
Sipas AFP-së, policia turke ka ndaluar dhjetëra persona për postime kritike rreth mënyrës sesi qeveria po e menaxhon krizën.