Ish-kandidati për president të Serbisë, kryetar i Partisë Republikane, Nikola Sanduloviq, ka publikuar të shtunën një fotografi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.
Me këtë të fundit, Sanduloviq ka thënë se ka shkëmbyer mendime për zgjidhjen finale të çështjes së Kosovës.
“Ishte nder për mua të shkëmbeja mendime me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Kjo foto si dhe fotoja ime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është dëshmi se zgjidhja ekziston edhe pa presidentin e Republikës së Serbisë”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.
Bila mi je čast da razmenim mišljenja sa Predsednicom Kosova Vjosom Osmani o konačnom rešenju Kosovskog pitanja.Ova fotografija,kao i moja fotografija sa predsednikom vlade Kosova Aljbinom Kurtijem je dokaz da rešenje postoji i bez @predsednikrs! @StateDept @JeffSonnenfeld @CIA pic.twitter.com/mc09QMEuwv— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) February 18, 2023
Ndryshe, Nikola Sanduloviq ka vizituar Kosovën në 15-vjetorin e Pavarësisë. Ai është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti, ku ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është histori e përfunduar në vitin 1999.
Siç njoftoi Qeveria, në takimin e Kurtit me Sanduloviq është diskutuar edhe për temat aktuale, me fokus ngjashmëritë mes Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Duke folur për situatën aktuale në Serbi, u veçua mungesa e demokracisë, rreziku nga rritja e nacionalizmit dhe ndikimi i madh i Rusisë. Në takim u theksua rëndësia e pozicionimit të politikanëve të rinj në Kosovë dhe Serbi, si dy shtete aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si anëtare te Bashkimit Evropian dhe NATO-s në të ardhmen”, thuhej në komunikatën për media.
Kundërshtari politik i Aleksandër Vuçiqit ka vizituar edhe Prekazin më 17 shkurt, ku ka bërë homazhe te varrezat.
I shoqëruar nga krerët e shtetit të Kosovës, Sanduloviq pas homazheve ka thënë se “do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm të përgjigjen”.