Bllokimi i klubeve për t’iu bashkuar Superligës Evropiane do të jetë ndër kompetencat e mbajtura nga rregullatori i ri i pavarur i futbollit anglez. Plani për një rregullator, i rekomanduar nga tifozët vitin e kaluar, është konfirmuar të enjten nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Parandalimi i largimit të klubeve historike nga futbolli është një nga qëllimet, si dhe dhënia e kompetencave më të mëdha për tifozët, ndërsa pronarët e rinj do të testohen. Lëvizja e rëndësishme synon ta mbrojë trashëgiminë kulturore të futbollit anglez.
“Loja angleze mbetet një nga eksportet më të mëdha kulturore të Mbretërisë së Bashkuar, me klubet dhe ligat anembanë botës që modelojnë veten sipas suksesit të saj”, tha qeveria përpara publikimit të letrës së saj mbi qeverisjen e futbollit – një dokument politikash që përshkruan legjislacionin e propozuar . “Kjo është arsyeja pse qeveria po ndërmerr hapat e nevojshëm dhe të synuar për të siguruar që kjo të vazhdojë për breza”.
Premier League u kuptua se ishte e kujdesshme ndaj një organi rregullator kur propozimet u njoftuan në prill të vitit të kaluar. Liga thotë se është “jetike” që një rregullator të mos çojë në ndonjë “pasojë të padëshiruar” që mund të ndikojë në suksesin global. Gjashtë klube angleze – Arsenali, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham – ishin në mesin e klubeve nga i gjithë kontinenti që njoftuan planet për të formuar një Superligë Evropiane në prill të vitit 2021, që u pa si një lëvizje shokuese. Kjo ide ndezi një ditë të trazuar në futbollin anglez dhe atë evropian. Tifozët shfaqën shpejt zemërimin e tyre ndaj planit – me protesta të ngjashme të forta në të gjithë Evropën – duke i detyruar klubet e Premier Leagues të tërhiqen dhe të kërkojnë falje. Pavarësisht kthesës, debati për të ardhmen e futbollit evropian të nivelit të lartë ka vazhduar.
“Rregullorja do të ketë fuqinë të parandalojë klubet angleze të bashkohen në garat e reja që nuk plotësojnë kriteret e paracaktuara, në konsultim me FA dhe tifozët”, tha qeveria. “Ky kriter mund të përfshijë masa për të ndaluar klubet që marrin pjesë në garat e shkëputura që dëmtojnë lojën vendase, siç është Superliga Evropiane”.
Një sistem i ri licencimi do t’i kërkohet çdo klubi – nga Premier League deri në Ligën Kombëtare – të dëshmojë se ka një model të qëndrueshëm biznesi të zbatuar nga kujdestarët përgjegjës si pjesë e procesit të aplikimit. Nëse klubeve nuk u jepet licenca nga rregullatori, ato nuk do të lejohen të garojnë.
Një tjetër fuqi kyç e rregullatorit do të jetë sigurimi i tifozëve që të kenë një rol më të madh në vendimet strategjike të klubit të tyre. Lëvizjet nga pronarët që mund të rezultojnë të diskutueshme – për shembull, ndryshimi i emrit, logos, ngjyrave tradicionale ose lëvizja e stadiumit – nuk do të lejohen të bëhen përpara se të konsultohen me tifozët.
“Rregullatori go t’i kthejë tifozët në zemër të drejtimit të futbollit”, thotë qeveria.
Testi për të përcaktuar përshtatshmërinë e pronarëve dhe drejtorëve të klubeve angleze ka qenë prej kohësh nën shqyrtim. Rregullatori do të prezantojë një test “të përmirësuar”, i cili do të funksionojë së bashku me procesin aktual të zbatuar nga Premier League, Football League dhe Federata e futbollit.
Sipas qeverisë, kjo do të çojë në “sigurimin e kujdestarëve të mirë të klubeve, një kujdes më të fortë të duhur për burimet e pasurisë dhe një kërkesë për planifikim të fortë financiar”. Përshtatshmëria e testit të pronarëve dhe drejtorëve të Premier Leagues është kritikuar në të kaluarën, së fundmi pas blerjes së Newcastle Unitedit nga Arabia Saudite. Kërkesat që aktualisht e ndalojnë dikë që të bëhet pronar ose drejtor i një klubi të Premier Leagues përfshijnë dënime penale, ndalim nga një organ sportiv ose profesional, si dhe shkelje të rregulloreve kryesore të futbollit si trukimi i ndeshjeve. Rregullatori do të ketë fuqi mbështetëse për të imponuar një zgjidhje të re financiare, që në mënyrë efektive do të thotë se mund të detyrojë Premier League të ndajë më shumë para në të gjithë piramidën e futbollit anglez. Nevoja për futjen e një organi rregullator në futbollin anglez ka ndarë opinionet. Por krijimi i tij shihet si një nga transformimet më radikale të qeverisjes së lojës që nga formimi i Sheffield FC në vitin 1857.
Premier League tha se vlerëson “angazhimin” e qeverisë për të mbrojtur suksesin e ligës, por paralajmëroi: “Është thelbësore që rregullimi të mos dëmtojë lojën ose aftësinë e saj për të tërhequr investime dhe për të rritur interesin”. Në deklaratë shtoi se liga do të punojë “në mënyrë konstruktive” me palët e interesuara për të siguruar që rregullatori “të mos çojë në ndonjë pasojë të padëshiruar që mund të ndikojë në pozicionin e Premier Leagues si liga më e shikuar e futbollit në botë”.