Profesori amerikan i shkencave politike, Michael McFaul, deklaroi se Perëndimi duhet t’i japë armët e nevojshme Kievit, për ta kërcënuar Krimenë, në mënyrë që Rusia të negociojë me Ukrainën.
Ai shkroi në Twitter se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, i frikësohet humbjes së Rusisë, do të pranojë të negociojë me autoritetet ukrainase për mbylljen e luftës.
“Nëse Putini ka frikë se po humbet Krimenë, ai do të negociojë. Prandaj, ne në Perëndim duhet t’i japim Kievit armët që i nevojiten për të kërcënuar Krimenë, duke përfshirë para së gjithash, ATACM-të (armë luftarake v.j.). Sa më shpejt ta bëjmë, aq më shpejt do të përfundojë kjo luftë e tmerrshme”, shkroi McFaul.
Ndërsa këtij postimi i ka reaguar miliarderi amerikan, Elon Musk, që ka ndihmuar Ukrainën nëpërmjet dërgimit të makinerisë satelitore Starlink.
Ai shkroi se Ukraina duhet të jetë në “maksimalisht e mbrojtur” pasi siç tha Musk, ofensiva e madhe ruse po vjen.
“A e dini sa viktima ka marrë secila palë?” pyeti ai në Twitter.
Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të 2022-s.
Në vitin 2014, Rusia e aneksoi me luftë Krimenë nga territori ukrainas. Më 27 shkurt të atij viti, trupat ruse i pushtuan vendet strategjike në tërë Krimenë, duke marrë vendin dhe duke vendosur autoritete qeverisëse.
Ukraina dhe shumë shtete perëndimore e dënuan aneksimin e Krimesë dhe e konsideruan atë shkelje të ligjit ndërkombëtar.