Barcelona ka triumfuar si mysafir i Real Madridit me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Ndeshja nisi më mirë për mbretërit, duke shënuar me Karim Benzeman, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Barcelona shënoi në minutën 26-të, kur Franck Kessie doli i vetëm me portieri, por gjuajtja e tij u devijua nga Eder Militao për të përfunduar në rrjetë për 1-0.
Goli u anulua fillimisht, por pastaj u pranua pasi u rishikua në VAR.
Pjesa e parë nuk solli më raste të tjera dhe katalanasit shkuan në pushim me një gol epërsi.
Edhe pjesa e dytë nisi sikurse u mbyll pjesa e parë, me pak raste të vërteta shënimi.
Franck Kessie kishte rast shumë të mirë sërish, por që gjuajtja e tij që po shkonte në rrjetë u ndal çuditërisht nga Ansu Fati.
Në fundin e ndeshjes Rodrygo kishte rast të barazonte, por gjuajtja e tij nuk qëlloi cakun.
Ndeshja e dytë do të zhvillohet më 5 prill në “Camp Nou”. Dy skuadrat do të takohen edhe në La Liga mes këtyre dy takimeve, ku ajo ndeshje do të luhet më 19 mars në Barcelonë.