Gati një vit pas shuplakës famëkeqe që Will Smith i dha Chris Rock në skenën e cmimeve Oscar, para gjithë botës, komediani ka reaguar për herë të parë zyrtarish, me zë dhe figurë, duke thënë nder të tjera se “ende i dhemb”.
Teksa vetë Smith i ka kërkuar falje publikisht kolegut të tij dhe është shprehur i penduar për atë që ka ndodhur, Rock kishte folur për incidentin shumë pak në turin e tij të stand up-eve, megjithatë së fundmi në transmetimin e parë live në historinë e Netflix, të titulluar “Chris Rock: Selective Outrage”, ai ka folur gjërë e gjatë për episodin.
Në pjesën e parë të kësaj specialeje Chris ka folur për shumë gjërsa, familjen e tij, abortin, racizmin SHBA-në që është me ndarë se kurrë, kulturën “cancel” dhe “woke” e shumë gjëra të tjera, ndërsa në fund ka vendosur që të prekë “cështjen Will Smith”. Ndër të tjera komediani tha se nuk do të bëjë kurrë viktimën për atë që i ndodhi dhe nuk do ta shohim kurrë në intervista për Oprah-n duke qarë.
Megjithatë nga ana tjetër ai foli për Jada Pinket Smith, bashkëshorten e Will, shakaja për të cilën u bë shkak për reagimin e aktorit në Oscars. Kështu, Chris foli për tradhëtinë e saj ndaj bashkëshortit dhe si e bëri publike pikërisht në një intervistë përballë tij:
“Të gjithë ne jemi tradhtuar. Të gjithë në këtë industri janë tradhtuar. Askush nga ne nuk është intervistuar nga personi që na ka tradhtuar në televizion. Askush prej nesh. Pse dreqin duhet ta bënte diçka të tillë? Ajo (Jada) e lëndoi atë (Will) shumë më tepër se ai mund të më lëndonte mua. Dhe nga të gjithë ata që e quajtën të dobët dhe u tallën me të gjatë asaj kohe, ai vendosi që të më gjuante mua” – u shpreh Rock, teksa tha se e ka dashur gjatë gjithë jetës së tij Smith si aktor, e ka mbështetur pa kushte, megjithatë tani pas shuplakës, ai sheh filmin e tij të ri “Emancipation” vetëm sepse aty e rrahin. Madje bën tifo që ta rrahin më shumë.
Rock po ashtu u shpreh se ka qenë vetë Jada që e ka nisur “beef”-in mes tyre vite më parë, kur kërkoi që Chris të hiqte dorë nga Oscars sepse burri i saj nuk ishte nominuar dhe meqë ai s’e bëri foli publikisht kundër tij. “Ajo e nisi dhe unë i dhashë fund”- tha komediani, ndërsa u shpreh se Will reagoi kundër tij vetëm sepse e dinte që mund ta rrihte dhe kjo ishte dicka hipokrite.
Në fund, ai i dha edhe përgjigje pyetjes: Pse nuk reagove? Ai u shpreh sepse prindërit e tij e kanë rritur duke i thënë që mos të zihet asnjëherë para njerëzve të bardhë, duke shkaktuar edhe shumë reagime në sallë, me publikun që e mbështeti reagimin e tij.
Stand up-i i Rock në përgjithësi është pritur mirë, megjithatë ka nga ata që e kanë kritikuar për faktin që ai u tall disa herë me gratë me ngjyrë të suksesshme si Doja Cat, Meghan Marke apo vetë Jada Pinket Smith.