108 mijë e 798 punëtorë kosovarë, të sektorit privat, pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 250 euro.
Deri në muajin mars të këtij viti, numri total i të punësuarve në sektorin privat ishte 265 mijë e 973 punëtorë, ku 7 mijë e 447 prej tyre marrin pagë vetëm 80 euro në muaj. E pagat bruto për këta punëtorë në total ishin në vlerën e 120 milionë e 563 mijë e 285 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), numri total i të punësuarve në këtë sektor e që marrin paga nga 80 deri në 250 euro është 101 mijë e 390 punëtorë.
ATK-ja ka thënë se numri i të punësuarve në Kosovë, që marrin paga prej 250 deri në 450 euro në muaj është 77 mijë e 390 punëtorë, kurse numri i atyre që marrin paga mbi vlerën e 450 eurove është gjithsej 79 mijë e 785 punëtorë.
Ndërkohë, premtimi i Qeverisë për ngritjen e pagës minimale në 250 euro nga 130-170 euro sa është tani, do t’iu mundësonte mbi 108 mijë punëtorëve paga më të mira dhe më të dinjitetshme, vlerësojnë nga sektori privat në vend.
Mirëpo, shoqatat e bizneseve që veprojnë në Kosovë po shprehin rezerva rreth këtij vendimi dhe ndikimit që do të ketë ky vendim tek bizneset.
Ata shprehen se te disa biznese pa dyshim se do të ketë ndikim negativ rritja e pagës minimale në 250 euro për shkak se nuk kanë potencial t’i mbajnë të gjithë punëtorët në punë me pagën e re, kurse për disa të tjera thonë se do të jetë e padukshme për shkak se pagat tashmë janë më të larta.
Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Ndryshe, rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 2011. Nga Aleanca Kosovare e Bizneseve thonë se sipas ligjit, duhet që për çdo vit të ketë rritje të pagës minimale në bazë të rritjes ekonomike të vendit, edhe pse nga ky institucion shpjegojnë se se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë për shkak të mospajtimeve politike./Gazeta Enigma/