Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit A.L, i cili dyshohet se i ka djegur shtëpinë gazetarit Alban Selimi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Zjarrvënia” “, ka njoftuar gjykata.
Siç njofton gjykata, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit A.L gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së tij dhe mund të pengon sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale. Gjykata ka vlerësuar se duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, pasi që i pandehuri A.L është recidivist i gjykuar dhe i dënuar me aktgjykime të plotëfuqishme për vepra të ndryshme penale, ekziston rreziku se i pandehuri po të gjendet në liri, do të përsëris veprat penale apo do të kryej veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.