Keqpërdorimi i fëmijëve me qëllim të përfitimit financiar për prindërit është një dukuri shqetësuese në Kosovë. Janë të shpeshta rastet kur prindërit detyrojnë fëmijët e tyre të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e qyteteve të vendit.
Dy raste të tilla janë zbuluar në Gjakovë dhe në Gjilan, ku janë arrestuar dy gra që u kapën duke kërkuar lëmoshë me fëmijët e mitur.
26-vjeçarja në Gjakovë u has në rrugën ‘Nëna Terezë’, bashkë me tre fëmijët e saj të moshave 9, 7 dhe 5-vjeçare. Ajo dyshohet se nuk ka treguar kujdesin e duhur ndaj fëmijëve dhe të njëjtit i ka detyruar të kërkojnë lëmoshë.
Njëjtë dyshohet të ketë vepruar edhe nëna në Gjilan, e cila u kap duke vëzhguar të birin 5-vjeçar teksa po kërkonte lëmoshë brenda një qendre tregtare në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’.
23-vjeçarja është arrestuar dhe është shoqëruar në Polici ku është intervistuar lidhur me rastin.
Në të dyja rastet, Prokurori ka urdhëruar që të dyshuarat të hetohen në liri për veprën penale ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’.
Kujtojmë që ditët e fundit janë shtuar rastet e personave të arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të fëmijëve.