Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Dyshimet për tradhti e xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës fizike e psikike që përjetojnë gratë në Kosovë nga bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur së fundmi në Lubizhdë të Prizrenit, Policia ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje mes tyre.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ashtu që i dyshuari pas një zënke momentale i ka bërë presion, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.