Reagimeve të bëra për dinamikën e dyshes Lorenc-Keisi në shtëpinë e “BBVIP” nuk mund ti mungonte deklarata e Robert Aliajt, babait të Kristit, i cili gjatë qëndrimit në reality show-t nisi një histori pikërisht me këngëtaren.
Për ju që nuk e keni ndjekur rrjedhën e ngjarjeve, Kristi dhe Keisi nisën një romancë në shtëpi, e cila u ndërpre nga kjo e fundit në momentin kur babai i saj, Sabiani u bë pjesë e programit dhe sidomos, pasi Lorenc Hasrama, u fut si banor i ri.
Pak pas largimit të Sabianit, më saktësisht Prime-n e kaluar, Lorenci pranoi se ai edhe Keisi kishin pasur një “njohje” për 1 muaj jashtë shtëpisë, cka shkaktoi shumë diskutime mes banorëve për mënyrën si artisti zgjodhi ta zbulojë, ndërsa mjaft reagime ka shkaktuar edhe jashtë nga fansat e formatit, por edhe nga familjarët e protagonistëve.
Sabiani me një deklaratë në Instagram u shpreh: “Princesha babos, jashtë nga ajo shtëpi se bespremat duan të marrin vëmendje prej teje kësaj radhe,” shkruan ai pa sqaruar se cilëve u referohet me “besprema”. “Nuk futem më aty, të pres jashtë të tërheq veshin. Gjithsesi, je gjëja më e shtrenjtë e babos”- teksa pak ditë më parë këngëtari kishte reaguar ndaj portaleve për lajmet që kishin shkruar për marrëdhënien e vajzës së tij me Lorencin, duke e quajtur atë “mik shtëpie”.
Sot ka qenë radha e Robert Aliajt për të bërë një deklaratë të tijën, duke qenë se djali i tij ishte i përfshirë në këtë situatë, teksa është përplasur jo pak herë edhe me Lorencin. Në një intervistë për “Shqipëria Live”, ai u shpreh:
“Ata të dy çfarë nuk bënë pas kurrizit dhe Kristi nuk reagoi aspak. Kristi edhe është bullizuar shumë dhe i janë vënë shumë epitete. Ka patur një presion shumë të madh dhe askush nuk iu afrua t’i thotë që ‘ke të drejtë’. U shit për mik familjeje dhe doli komplet tjetër”
Po ashtu Aliaj nuk nguroi ta quante Lorencin si lojtar të futur “për destabilizim”, duke komentuar kështu edhe dinamikat e lojës.