I sulmuan posa kryen darkën e iftarit, këta janë të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve në Prishtinë

I sulmuan posa kryen darkën e iftarit, këta janë të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve në Prishtinë

Një darkë e zakonshme e iftarit, u kthye në tmerr për dy të rinjtë, Darsej Morina 19-vjeçar dhe Olsi Podvorica 18-vjeçar. Mbrëmjen e shkuar, pasi ata dolën nga një restorant në rrugën ‘Qamil Hoxha’ në Prishtinë, tre persona dyshohet se i sulmuan ata me mjete të forta, armë zjarri e thikë. Si pasojë, Morina ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa Podvorica ka marrë lëndime nga goditja me thikë.

Ndërkohë të dyshuarit ende nuk janë kapur nga Policia, teksa Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Endrit Llapashtica 27-vjeçar, Ridon Llapashtica 25-vjeçar dhe Gentrit Ymeri 27-vjeçar.

Bazuar në dëshminë e një dëshmitari i cili ishte bashkë me viktimat në momentin kritik, e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi kanë dalë nga lokali ku kishin shkuar për iftar.

Në kuadër të veprimeve hetimore, Sinjali mëson se është marrë edhe dëshmia e njërit prej viktimave, i cili ka pohuar se i dyshuari, Ridon Llapashtica, i ka sulmuar ata me thikë, ndërsa Endrit Llapashtica gjatë sulmit dyshohet të ketë përdorur mjet të fortë.

armën nga e cila mori plagë Darsej Morina, dyshohet se e shkrepi i dyshuari Gentrit Ymeri.

Që aty, të dyshuarit janë larguar për në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat janë transportuar në spital me një veturë private.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se Darsej Morina ka marrë plagë në këmbë dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, ndërsa Olsi Podvorica ka marrë lëndime të rënda në kokë, si pasojë e therjes me thikë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’, teksa janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles