Haradinaj: Marrëveshja e Brukselit të reflektojë rikthimin e normalitetit në veri

Haradinaj: Marrëveshja e Brukselit të reflektojë rikthimin e normalitetit në veri

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, incidentet e fundit në veri ka thënë se janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri.

Ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë urgjentisht me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndër të tjera Haradinaj ka kërkuar nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen, në të kundërtën angazhimi i tyre do të mbetet përpjeke pa rezultat.

“Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”.

“Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, përfundoi Haradinaj.

Related Articles