Publikimi i dy identiteteve nga Erion Veliaj, të cilët nuk janë konfirmuar se qëndrojnë prapa dy faqeve të njohura, ka alarmuar organizatat ndërkombëtare, duke konsideruar se Veliaj u vuri në rrezik sigurinë e atyre individëve.
Më 29 mars, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë publikë emrat e dy individëve që, sipas tij, menaxhojnë dy faqet anonime “JOQ Albania” dhe “Lolita”, të cilat kritikojnë pushtetin lokal dhe qëndror në Shqipëri.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka thënë se këto faqe ndihmojnë në llogaridhënien e pushtetit dhe sjellja e Kryetarit të Tiranës është e papranueshme.
“Jam i zemëruar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në zbulimin e identitetit të administratorëve të faqeve satirike të Facebook-ut shqiptar Lolita dhe JOQ. Këto faqe, edhe pse jo krejtësisht gazetareske, ndihmojnë për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet nëpërmjet humorit (nëse ju pëlqen apo jo)”.
“Z. Veliaj ka publikuar emrat dhe informata tejet private të familjeve të këtyre dy personave, duke supozuar se i ka ‘identifikuar’ ata, duke i vendosur ata direkt në rrezik fizik. Vetëm disa orë më parë, ai përmendi ata prapë, duke thënë se Policia është nisur drejt tyre, duke sugjeruar se atë mund të jenë arrestuar”, ka shkruar Sekretari i EFJ-së.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, me bazë në Gjermani, thotë se identifikimi publik që Veliaj u ka bërë dy personave që ai dyshon se janë prapa dy faqeve, con në shqetësime për sigurinë e tyre.
“Ne jemi të shokuar që Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, identifikoi individë që dyshohet se janë prapa dy faqeve anonime Lolita dhe JOQ, duke cuar kështu në shqetësime të sigurisë. Veliaj duhet që menjëherë të kërkojë falje dhe të sigurohet që identitetet e individëve privatë janë të mbrojtura”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.