Zëvendësministrja, njëherit Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje, Nita Shala, mblodhi në takimin e tretë me radhë Grupin Ndër-Ministror Kundër Dhunës në Familje, me synimin e mirë-koordinimit të përgjigjes ndaj rasteve të dhunës në familje nga institucionet përgjegjëse si dhe ndërmarrjen e hapave për parandalimin e dhunës në familje.
Të pranishmit aty diskutuan mbi nismën dhe bashkëpunimin në finalizim të nismës nga Komisioni për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i cili në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë do të ndryshojë Ligjin Kundër Dhunës në Familje në linjë me dispozitat e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Gjithashtu u diskutua mbi rëndësinë dhe obligimin për të hedhur të dhëna në databazën e rasteve kundër dhunës në familje dhe për adresimin e ngacmimeve dhe dhunimeve seksuale.
Përveç përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, në takim u lidhën përmes linjës elektronike 9 ekspertë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, donatorëve dhe organizatave joqeveritare në Kosovë. /Gazeta Enigma/