Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme. Abuzimi me pijet alkoolike është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në rrugën ‘Washingtoni’ në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka tentuar t’i dëbojë nga shtëpia bashkëshorten dhe djalin e tij.
Sinjali mëson se këta të fundit kanë denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Si rezultat i denoncimit, 59-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Në stacion policor ai i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.