Federata e Futbollit e Serbisë ka reaguar ashpër në lidhje me vendimin e Policisë së Kosovës që t’i ndalojë garat ilegale të kësaj federate, brenda territorit të Kosovës.
Madje, Federata e Futbollit e Serbisë ka thënë se do t’i shkruajnë UEFA-s në lidhje me këtë vendim, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk kam dëgjuar gjë më të çmendur dhe asnjëherë më të madhe të diskriminimit të serbëve nga policia e Kosovës. Jemi me federatën rajonale, me Federatën e Futbollit të Kosovës. Kjo është një çështje e ndjeshme, kjo është më shumë se futbolli. Këtu luajnë me lirinë dhe vendimmarrjen e njerëzve. Duhet të kemi një përgjigje të përbashkët dhe ne si federatë do të mbështesim klubet tona. Nesër FSS do të bëjë një njoftim sipas UEFA-s për këtë çështje. Kjo është një çështje e ndjeshme jetësore dhe politike” ka thënë Branislav Nedimoviq, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë për Prva TV.
Në lidhje me këtë kishte reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës, ku e ka dënuar ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të vendit tonë.
Federata e Futbollit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës.