Kosova pëson humbje nga Irlanda e Veriut 

Kosova pëson humbje nga Irlanda e Veriut 

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Dardanet U19 pësuan humbje ndaj Irlandes së Veriut me rezultat 3:1, raporton Gazeta “Enigma”.

“Kombëtarja e Kosovës U19 për vajza ka pësuar humbje në ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës së B për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023”, thuhet në njoftimin e tyre.

Me këtë humbje ato kanë humbur edhe mundësinë e promovimit në Ligën A për edicionin kualifikues për Evropian.

“Në përballje me Irlandën e Veriut në Belfast, e cila ishte përcaktuese për pozitën e parë në grup, Dardanet U19 pësuan humbje me rezultat 3:1. Kësisoj, ato e humbën mundësinë e promovimit në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues për Evropian, ndonëse në këtë ndeshje i mjaftonte edhe barazimi, ngase në dy ndeshjet e para kishin shënuar fitore kundër Qipros dhe Letonisë”.

Kjo lojë u zhvillua me rezultat të favorshëm për Kosovën deri në minutën e 83-të.

“Në fakt të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit ishin në rrugë të mirë për ta siguruar pozitën e parë, ngase deri në minutën e 83-të kishin rezultat të favorshëm. Kosova kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Gresa Berisha, në minutën e 28-të, e cila u gjend më së miri në zonë pas harkimit nga këndorja dhe me gjuajtje të saktë mposhti portieren kundërshtare”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas tyre “vendaset arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 57-të përmes Aimee Neal, e cila barazoi shifrat në minutën e 57-të me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndi”.

Tutje ata kanë njoftuar se “për fitoren Irlandës së Veriut u përkujdes zëvendësuesja Keri Halliday, që shënoi dy gola. Fillimisht realizoi në minutën e 83-të, duke shfrytëzuar pakujdesinë e mbrojtjes sonë, derisa në minutën e dytë të lojës shtesë shënoi me gjuajtje të fortë nga distanca”.

“Kësisoj, Kosova e mbylli këtë fazë në pozitën e dytë, me 6 pikë, aq sa kishte edhe Irlanda e Veriut, por që siguroi pozitën e parë falë fitores në takimin e ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Deklarata e plotë e Albina Rrahmanit pas ndedshjes:

“Një kompeticion i mirë, në të cilin kemi mësuar shumë si ekip. Pas të gjitha peripecive që kaluam për të arritur deri në Belfast, jemi të kënaqur me bilancin e arritur, edhe pse dëshira jonë ishte që të promovohemi në Ligën A. Sidoqoftë, mund të them se vajzat e kanë bërë maksimumin kundër një ekipi shumë të fortë dhe të përgatitur fizikisht”, tha ajo.

Tutje Rrahmani ka shtuar se “në bazë të peripecive që patëm për këtë fazë të kualifikimeve nuk kemi pritur të kishim paraqitje kaq të mira”.

“Në fakt, si pasojë e mos pajisjes me viza kishim shumë mungesa të rëndësishme, derisa në ndeshjen e fundit ishim të hendikepuara edhe me mungesën e kapitenes, e cila ishte e pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë në dy ndeshjet e para. Gjithsesi, na mbetet të punojmë shumë në të ardhmen për ta rritur tutje nivelin. Lojtaret duhet të punojnë më shumë në klubet e tyre, por edhe individualisht. Tani na mbetet ta përgatisim gjeneratën e re për ciklin e ardhshëm kualifikues”, tha ajo. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles