“Ju dua të gjithëve”, Kokaj skandalizohet nga cilësia e dobët në arsim, por shfaq dashuri ndaj deputetëve

“Ju dua të gjithëve”, Kokaj skandalizohet nga cilësia e dobët në arsim, por shfaq dashuri ndaj deputetëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, në fjalën e tij gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, tregoi se do të flasë për cilësinë e Arsimit, me theks të veçantë në nivelin akademik.

Ai tregoi se gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri me kolegët nga Kuvendi, u mirëpritën jashtëzakonisht mirë.

Kokaj u shpreh se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë bënë një pritje madhështore.

Shqipërinë ai e quajti shteti “vëllai i madh”. Për të, ajo është “nënë e babë”, pasi theksoi se është edhe shtetas i Shqipërisë.

“Porsa erdhëm nga Shqipëria si komision i Arsimit dhe ju them se ishte një pritje madhështore nga kolegët e shtetit amë, shtetit vëlla i madh, për mua nënë e babë, meqë jam edhe shtetas shqiptar”, shtoi Kokaj.

Gjatë vizitës atje, ligjvënësi i pushtetit bëri të ditur se kanë vizituar Univeristetin e Bujqësisë në Tiranë. Ai ka ndarë me publikun një bisedë që ka zhvilluar me rektorin e këtij univeristeti, kur e ka pyetur se në cilën ranglistë gjendet ky institucion arsimor.

“Ishte një përjetim i rrallë për mua dhe kënaqësi e vecantë. Vizituam ndër të tjera Universitetin e Bujqësisë, nuk po gaboj, në mesin e shumë universiteteve, sepse ne kemi shumë universitete në Ballkan, vetëm atë të pulave s’e kemi. Aty na pritën me të vërtetë me dashamirësi e respekt, e rektori tha që 16 doktorantë do të doktorojnë, gravitojnë, përgatisin doktoraturën në Universitetin e Bujqësisë në Tiranë”, tha ai.

Teksa u shpreh i orientuar për mungesën e cilësisë në arsim e që quajti këtë gjendje edhe skandaloze, Kokaj gjeti pak kohë edhe për shpërfaqje të dashurisë ndaj deputetëve të Kuvendit.

“Pyetjes tjetër se ku gjendet në nivel ndërkombëtar, çfarë rangu gjendet, tha se nuk ka orientim, nuk e kam këtë orientim, nuk e di çfarë niveli. Pra, nivel pa nivel. S’ka kurrfarë niveli. Ky degradim i thirrjes akademike, me këta doktorë e doktorantë, unë nga kjo foltore e quaj skandaloze. Skandaloze sepse nuk doktorohet kolegë të nderuar në këto banka ku jeni dhe rrini, megjithatë respekt se ju dua shumë të gjithëve. Por, njëri përgatis një master, tjetri një doktoraturë, 15 doktorata. Kjo është lojë”, tha ai.

Krejt në fund, ai u shpreh se beson që qytetarët e morën mesazhin e tij.

Related Articles