Një grua, e cila gjatë kohës së luftës është dhunuar në sy të fëmijëve dhe bashkëshortit të saj, ka rrëfyer në KTV përjetimet e saj, 24 vjet pas luftës.
Në emisionin “60 Minuta” të premten, në ditën e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, viktima ka treguar se disa herë e ka menduar edhe vetëvrasjen si pasojë e traumave. Ajo ka thënë se ishte shtatzënë në kohën kur u dhunua.
Përkundër traumave dhe problemeve, ajo nuk është dorëzuar. Ka 10 vjet që e ka denoncuar dhunuesin dhe ai tashmë është arrestuar nga autoritetet në Kosovë.
“Jam dhunuar prej serbëve. Jam dhunuar në lagjen e fshatit tonë, më kanë dhunuar kur kam qenë shtatzënë”, ka treguar fillimisht ajo duke shtuar se dhunimi ka ndodhur në sy të familjarëve. “Më kanë dhunuar në sy të të gjithëve”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se fëmija i saj më i madh atë kohë ka qenë 15 vjeç. Ka rrëfyer se fëmijët kanë përjetuar trauma dhe ende vuajnë. Ajo ka thënë se traumat kanë qenë shumë të rënda. E ka pasur të pamundur ta përshkruajë traumën e mënyrën se si ka arritur ta qetësojë veten. “Kam menduar shumë për vetëvrasje…” ka përsëritur disa herë ajo.
Viktima ka thënë se pa mbështetjen e bashkëshortit nuk do të mund t’ia dilte të mbijetonte e as të kishte shpresë për jetë.
“Po të mos ishte ai, nuk e di si do të jetoja. E falënderoj më së shumti. Më ka dhënë shpresën ta kaloj traumën. E falënderoj jo një herë, por 100 mijë herë, miliona herë. Po të mos ishte ai, as unë sot s’do të isha në gjendje të flisja për këto gjëra”, ka thënë ajo.
Viktima ka thënë se e ka njohur dhunuesin pasi ai ka qenë i lagjes së saj. I arrestuari ende s’ka dalë në gjyq. Ajo ka shprehur besim në drejtësinë vendore. Ka thënë se pas arrestimit të të dyshuarit, pret që gjithçka të sqarohet e që dhunuesi të dënohet.
Ajo ka thënë se e ka fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe se e merr pensionin.
Mesazhi i saj për viktimat tjera ka qenë që të ngritin zërin e të lajmërojnë rastet.
“Të gjithë ta ngritin zërin, le të shkojnë në qendra, të ngritin zërin e nënave shqiptare, motrave shqiptare. Ta falënderojmë që e kemi shtetin tonë, të themi se ja ku jemi. S’e lëshojmë Kosovën edhe pse na i keni bë të gjitha këto maltretime. E mbajmë atdheun tonë, vendlindjen tonë”, ka thënë ajo.
Viktima po ashtu ka lutur familjet e viktimave që t’u ofrojnë mbështetje familjarëve.