Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri.
Cak i hajnave së fundi ka qenë edhe dyqani ‘Hugo’ në Albi Mall në Prizren, ku tre persona dyshohet se morën rroba pa paguar.
Sinjali mëson se të dyshuarit janë kapur nga personi përgjegjës i dyqanit, i cili ka njoftuar menjëherë Policinë lidhur me atë që ka ndodhur. Bazuar në dëshminë e tij, tre burrat kanë vjedhur produkte në vlerë të mbi 2 mijë e 200 eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që tre të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.
Po ashtu gjatë kontrollit të veturës së të dyshuarve janë gjetur edhe produktet e vjedhura të cilat janë konfiskuar nga Policia.
Të dyshuarit janë intervistuar në stacion policor lidhur me rastin dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit.