Skuadra mitrovicase, KH Trepça ishte cak i një sulmi nga lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë gjatë një ndeshje kampionale në Superligën e Kosovës në Hendboll, ndërsa tani klubi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar, duke e quajtur të ligë dhe të pabesë sulmin.
Me të filluar pjesa e dytë e takimit, fillo edhe dhuna. Pas një faulli të shkaktuar nga një hendbollist i Trepçës, i njëjti pretendoi se u godit nga një lojtar vendas, duke kërkuar ndihmën mjekësore, me çka filloi përleshja, ku i pari ishte portieri i Vushtrrisë që filloi me grushte, për t’u bashkangjitur më pas edhe lojtarët dhe tifozët.
Si rrjedhojë takimi u ndërprit, kur Trepça ishte duke fituar me rezultat 21-17, për të mos vazhduar më.
KH Trepça nga Mitrovica reagoi ashpër, duke thënë se sulmi ishte i ligë, por se kanë mbijetuar shumë sulme të tilla dhe do të vazhdojnë të mbijetojnë.
Statusi i plotë nga skuadra mitrovicase
Shumë e shumë sulmin e ligë e të pabesë e kemi mbijetuar. Shumë e shumë do të mbijetojmë.
E ju të pabesë që e keni hëngër bukën e klubit tonë, turpi ju mbuloftë.
TREPÇA do të vazhdojë të jap shkollë hendbolli e edukate.
Dy ngjyra, një simbol
TREPÇA