Komuna e Gjilanit pritet të jetë komuna e parë në Kosovës, që në vend të ndëshkimit më përjashtim dhe largim nga shkolla për nxënësit problematik të njëjtit t’i angazhojë në punë të lehta fizike brenda shkollave. Ky propozim është dorëzuar edhe në Drejtorin e Arsimit në Gjilan nga një mësimdhënëse e anglishtes nga kjo komunë. Propozimi pritet të dal në votim me 27 prill
Si asnjëherë më parë, nxënësit në Komunën e Gjilanit pritet që si masë disiplinore së shpejti të pastrojnë objektet e shkollave të tyre.
Deri tani, për probleme të shkaktuara e sjellje të këqija, nxënësit janë ndëshkuar ndër të tjera me përjashtim e ndërrim të shkollës.
Propozimi për masën e re ka ardhur nga Festa Shabani Tahiri, mësimdhënëse e anglishtes në shkollën fillore, “Nazmi Hoxha” në Gjilan.
Sipas saj, në shumë vende perëndimore, detyrimi për të pastruar ambientet shkollore ka dalë të jetë shumë më efikas sesa vërejtjet e ndryshme.
“Me të vërtet nga përvoja ime si mësimdhënësi e pash të nevojshme që të ndryshojmë diçka dhe të marrim modele nga vendet evropian. Vërejtjet me shkrim dhe ato me gojë kanë tregu se nuk kanë rezultat të lartë tek nxënësit dhe më erdhi ideja që nxënësit problematik të angazhohen në punë fizike rreth shkollës që mos të kemi forma ndëshkues të ndërrimit të shkollës pasi nuk është që e arrin efektin e duhur”, ka deklaruar Festa Shabani-Tahiri- Mësimdhënëse e Anglishtes, SH.F “Nazmi Hoxha”.
Këtë ide, Shabani-Tahiri tashmë e ka dorëzuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, duke kërkuar që ky propozim të jetë pjesë e rregullores së re.
Disa asamblist tashmë kanë premtuar se do ta votojnë këtë ndryshim, siç është Afërdita Balaj, e cila ka shkruar se i gjithë grupi i LDK-së do ta përkrahë atë.
Punën fizike në vend të ndëshkimit po e konsiderojnë ide të qëlluar edhe prindërit.
“Është shumë ide e mirë, besoj që kjo do të vetëdijsoj më shumë nxënësit dhe mendoj se është ide e qellume ma mirë se më pas naj dënim tjetër ma të rëndë”, ka thekuar Fahredin Rrahmani-Prind.
“Unë jam për më vetëdijsu fëmijën në forma të ndryshme dhe nëse kjo form e vetëdijson më shumë dhe besoj që ja vlen kjo formë. Por mendoj se bashkëpunimi ma i mirë do të ishte prind-mësimdhënës dhe nxënës, kjo do të mund të ishte më efikase”, ka deklaruar Bajram Azemi-Prind.
Propozimi “Angazhimi fizik i nxënësve në pastrimin e ambienteve shkollore”, para asamblistëve të Gjilanit, pritet të dal për votim të enjten e 27 prillit.