NATO do të zhvillojë stërvitjen e saj më të madhe ajrore në qershor

NATO do të zhvillojë stërvitjen e saj më të madhe ajrore në qershor
Stërvitja më e madhe ajrore e NATO-s, që do të mbahet në qershor, nuk ka gjasa të shkaktojë anulime të fluturimeve komerciale, tha Agjencia Evropiane e Kontrollit të Trafikut Ajror (Eurocontrol), pasi industria gjermane e linjave ajrore shprehu më herët shqetësimin për ndërprerje të mundshme.

“Ne nuk presim që të ketë ndonjë nevojë që operatorët ajror të anulojnë fluturimet për të përmbushur nevojat e stërvitjes”, tha Eurocontrol në një deklaratë për Reuters.

Air Defender 23 do të jetë një nga stërvitjet më të mëdha ajrore në historinë e NATO-s. Në të do të marrin pjesë ushtritë e 25 vendeve në hapësirën ajrore gjermane, holandeze dhe çeke. Ata do të përdorin korridoret ajrore që janë përdorur shpesh për qëllime stërvitore, sipas Forcave Ajrore Gjermane.

Që nga pushtimi i përgjithshëm i Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar, hapësira ajrore tregtare mbi Ukrainë është mbyllur, duke shkaktuar më shumë trafik ajror në pjesën tjetër të Evropës. Sektori gjerman i aviacionit është veçanërisht i shqetësuar për ndikimin negativ të stërvitjes në aviacionin tregtar. Shoqata e linjave ajrore BDLS bëri thirrje për koordinim për të shmangur ndërprerjet për shkak të stërvitjes ajrore.

“Veprimi i koordinuar do të lejojë që kjo ngjarje e madhe ushtarake të zhvillohet, ndërsa në të njëjtën kohë do të përshtatet me trafikun ajror civil me ndikimin më të vogël të mundshëm për sa i përket vonesave dhe devijimeve”, përfundoi Eurocontrol.

Related Articles