Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Serbia do të dijë se çfarë të bëjë nëse Albin Kurti guxon të përpiqet të dëbojë serbët nga Kosova dhe shtoi se sot Albin Kurti ka marrë vendim për hapjen e një ure që prej kohësh ka qenë digë për sigurinë e serbëve, që shqiptarët të mos marrin Mitrovicën e Veriut.
” Albin Kurti mori vendim për hapjen e një ure që prej kohësh ishte një digë për sigurinë e serbëve, që të mos pushtojnë shqiptarët Mitrovicën. Për shumë vite populli ynë kundërshtonte dhe pyeste pse po e bën këtë e vetmja gjë që dëshiron është të dëbojë njerëzit tanë dhe dëshiron konflikte”, tha Vuçiq duke iu drejtuar qytetarëve në Sokobanjë.
Ai shtoi se Serbia do të bëjë çmos për të ruajtur paqen.
“Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, do të bëjmë çmos që asnjë grua të mos mendojë për dërgimin e fëmijës së saj në luftë. As mos e ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët, në atë rast do të dimë çfarë të bëjmë”, tha presidenti i Serbisë.
Ai shtoi se ndërsa është “president dhe komandant i përgjithshëm, Serbia nuk do të jetë në NATO apo në asnjë aleancë ushtarake”.
“Dhe kjo është zgjedhja jonë”, theksoi Vuçiq dhe shtoi se nuk mund “të kalojë mbi zgjedhjen e këtij populli dhe të harrojë atë që i ndodhi popullit”.