Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet nga akuza për korrupsion

Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

Aktgjykimi u shpall të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klan Kosova.

Sipas gjykatësit Hoti, nga provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.

Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Related Articles