Genc Sefa, anëtari i Grupit Kumanova nga Shqipëria ka folur për ngjarjen e ndodhur para 8 vitesh.
Ai ka thënë se ka pasur disa arsye se pse kishin marrë rrugën për në Kumanove. Ai përmend disa raste të ndryshme të ndodhura në Maqedoni, por shton se shtyrja kryesore për të marrë vendimin e tyre për t’u nisur drejt Kumanovës kanë qenë deklarimet e Gordana Jankullovskës.
“Sa i përket kushteve, jemi munduar t’i krijojmë vetë. Me shumë sakrificë kemi arritur t’i krijojmë. Nuk janë shumë keq. Jam i vetmi nga Republika e Shqipërisë, nga Lushnja. Jam invalid i UCK-së. Jam i dënuar 40 vite. Ka pasur disa arsye. Si nga rasti i Sopotit, Brodeci, rasti Monstra. Disa sulme në disa lagje të Shkupit. Deklaratat e Jankullovskës. Kjo ka qenë një shtytje shumë serioze, një indikacion”, ka thënë Sefa për T7.
Ai ka thënë se në atë moment kanë menduar se ishte koha për të treguar se populli shqiptar nuk është i vetëm.
Sefa tutje ka thënë se është e vëretë që Grupi Kumanova u braktis në momentet vendimtare, megjitahtë thotë se si grup e kanë kryer punën e tyre.
“Përkundër çdo teorie që aludohet e diskutohet në opinion. Edhe përkundër braktisjes dhe asaj që na kthyen krahët në momentin e fundit, ne e kryem punën tonë. Por është e vërtetë që u braktisëm në momentet vendimtare. Kemi pritur që nisma jonë apo detyra jonë, që të marrë shtrirje edhe në vende të tjera, që t’i tregonim regjimit që s’mund të luash me shqiptarët. Ishim të vetëdijshëm për pasojat”, ka thënë Sefa.
“Kurgjo nëse s’ka ndryshuar, këta do të kujtohen dy herë para se të montojnë raste të tilla”, shtuar ai, i pyetur nëse ka ndryshuar diçka pas rastit Kumanova.
Ai ka treguar se kanë bërë kërkesë për ekstradim dhe thotë se tashmë ka mbetur çështje e vullnetit politik.
“Besoj që do të ndodh ekstradimi. Por është çështje e politikës dhe vullnetit dypalësh. Kemi aplikuar për transferim dhe shpresoj që të ndodhi”, ka përfunduar Genc Sefa.