Rasti “Toka”, gjykata merr këtë vendim rreth Nazim Bllacës

Rasti “Toka”, gjykata merr këtë vendim rreth Nazim Bllacës

Në rastin e njohur si “Toka”, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka marrë vendim me të cilin janë konsideruar të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues Nazim Bllaca dhe Fatmir Prapashtica, si dhe janë konsideruar të lexuara edhe disa dëshmi të dëshmitarëve tjerë bashkëpunues.

Ky vendim, është marrë në seancën e së enjtes nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kujtojmë se nga seanca e kaluar, mbrojtja kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Nazim Bllaca dhe Fatmir Prapashtica, ndërsa Prokuroria kishte propozuar që deklaratat e të njëjtëve të konsiderohen të lexuara.

“Gjykata ka pru aktvendim, me të cilin ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për leximin e deklaratës së dhënë në mundësi të hetimit të veçantë të dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca, ndërsa rrjedhimisht është refuzuar propozimi i mbrojtësve”, tha gjykatësi Hoti, në këtë seancë.

Po ashtu, me pajtimin e palëve edhe dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Prapashtica, u konsiderua e lexuar.

Sipas propozimit të prokurorit special Naim Abazi, të lexuara u konsideruan edhe dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues Zharko Vujoviq, Blazho Vujoviq, Suncica Miliq, Senka Radeviq-Sariq dhe Marina Milanoviq, të cilët dëshmitarë dëshmitë e tyre i kishin dhënë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik.

Në anën tjetër, lidhur me deklaratat e këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha, ka thënë se në parim e kundërshtojnë çdo deklaratë të cilën nuk kanë pasur mundësi që ta kundërshtojnë në asnjë fazë të procedurës penale.

“Çfarë po synon Prokuroria sot është që të marrë deklaratat e dhëna në prezencë të prokurorëve serbë, t’i administrojë si prova të drejtpërdrejta në këtë shqyrtim gjyqësor. Në parim, besoj që kemi për detyrim ta ruajmë standardin e të provuarit dhe kemi për detyrim po ashtu që t’i respektojmë të drejtat e secilit të akuzuar”, ka thënë tutje avokati Berisha.

Ndërsa, i njëjti u shpreh se me dëshirën me të madhe, do të donte që përballë ta kishte dëshmitarin Nazim Bllaca.

“Ne vetëm duam të lëmë gjurmë se me dëshirën me të madhe do të doja unë personalisht ta kisha përballë dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca”, tha avokati Berisha.

Pasi që sipas tij, pas aventurave që i njëjti i ka bërë për shfajësimin e tij, në opinion kanë dalë prova që atë e implikojnë direkt në konsulta dhe urdhra nga prokurori i krimeve të luftës në Serbi.

“Dhe në veçanti, duke lakuar emrin e Azem Sylës, jo nga Nazimi, por nga prokurori i krimeve të luftës siç i referohen ata në Serbi”, ka avokati Berisha.

Gjithashtu, në këtë seancë u lexuan edhe deklaratat e dëshmitarëve Faton Majanci dhe Shkëlqim Latifaj, ndërsa prokurori Abazi hoqi dorë nga dëgjimi i dëshmitarit Idriz Kadriu.

Ndërsa, gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë për dëgjimin e dëshmitarëve:Trajko Nedeljkoviq, Dobrila Pantiq, Jelica Stojkoska dhe Slavisa Vukosaljeviq, me arsyetimin se gjykata edhe më herët kishte bërë përpjeke që të njëjtit të dëgjohen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, por një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga autoritetet e Serbisë.

“Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Kosovës përmes shkresës së datës 02.05.2023, nga Ministria e Drejtësisë është njoftuar zyrtarisht se Republika e Serbisë ka ndërprerë njëanshëm bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe civile, andaj konsiderojmë se për shkaqe të arsyeshme, konkrete dhe objektive dhe mosprolongimit të çështjes është refuzuar propozimi i Prokurorisë”, tha tutje gjykatësi Hoti.

Sa i përket çështjes së dëshmitarëve, ka mbetur që të dëgjohet edhe dëshmitari Edvard Gashi, i cili mungoi në këtë seancë, mirëpo sipas gjykatësit Hoti i njëjti ka dorëzuar një njoftim në gjykatë se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë dhe për këtë ka bashkëngjitur edhe raportin mjekësor.

Avokati Berisha, në fund të seancës i ka propozuar gjykatës që për arsye shëndetësore të të mbrojturit të tij Azem Syla, gjykimi në vazhdim të mbahet në mungesë të të njëjtit.

Por, një propozim i tillë është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, paragrafi 5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3 të Kodit të Ri të Procdures Penale (i cili parasheh gjykimin në mungesë).

“Refuzohet propozimi i mbrojtjes që seanca të vazhdojë në mungesë të Azem Sylës, pasi që trupi gjykues konsideron që nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, par.5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3. I akuzuari Azem Syla deri në fund, ka qenë i pranishëm në seancat gjyqësore dhe arsyet e dhëna nga mbrojtësi, janë arsye objektive të shëndetit dhe se nuk lidhen me kriteret e dispozitës ligjore të cituar. Është në kundërshtim me dispozitat e Kodit, Kodi nuk e njeh parimin e disponibilitetit në këtë fazë, meqenëse ky shqyrtim ka filluar në mënyrë të rregullt”, ka thënë gjykatësi Hoti.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua më 22 maj 2023.

Ndryshe, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Related Articles