Një numër i madh institucionesh kanë mbetur me ushtrues detyre. Një prej tyre është edhe Avokatura Shtetërore.
Pavarësisht, se ishin hapur tre konkurse për pozitën e Avokatit të përgjithshëm shtetëror, që të tria kanë dështuar, ndërsa mbajtja e pozitës së ushtrueses së detyrës për më shumë se një vit, po konsiderohet në kundërshtim me ligjin.
Për më shumë se një vit, Fitore Gajtani është ushtruese e detyrës në një prej agjencive të Ministrisë së Drejtësisë.
Bëhet fjalë për pozitën e Avokatit të Përgjithshëm në Avokaturën Shtetërore.
Gajtani ka mbetur në këtë pozitë, pasi që tre konkurse për Avokatin e Përgjithshëm, kishin dështuar.
“Nga periudha e caktimit të pozitës me zëvendësues ka pasur konkurse, deri më tani kanë qenë tre (3) konkurse të hapura publike, por për të dhëna të sakta, kompetente është MPB – Departamenti për Menaxhimin e Zyrtareve Publik, sepse ata janë përgjegjës për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për pozita të larta drejtuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Por sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) mbetja me ushtrues detyre për një periudhë të tillë, është në kundërshtim me ligjin.
“Është e përcaktuar që një ushtrues detyre mund të qëndrojë në pozitë brenda afatit gjashtë muaj, çdo ditë e qëndruar më shumë konsiderohet shkelje e ligjit. Ky afat është lënë sepse është konstatuar se brenda këtij gjashtë mujori institucioni vetëm se e zgjedh drejtuesin”.
E sipas avokatit Ardian Bajraktari, që dikur ka qenë pjesë e Ministrisë, për shkak të rëndësisë së kësaj pozite, rekrutimi duhet të ndodhë sa më shpejt.
“Ky është një institucion tepër me rëndësi andaj rekrutimi i pozitës së re për të ushtruar këtë funksion besoj që duhet të jetë një nga obligimet që duhet ta ketë Ministria për faktin që avokatura shtetërore është institucion tepër me rëndësi i cili merret me mbrojtjen e institucioneve qeveritare në procedura gjyqësore dhe në arbitrazhe”, ka deklaruar tutje Bajraktari në RTV Dukagjini.