Insistimi i Qeverisë së Kosovës që Asociacioni të bëhet sipas modelit kroat, për Partinë Demokratike të Kosovës është çështje që kërkon diskutim, sidomos pas deklarimeve të palës evropiane që draft-statutin e prezantuar nga ish-Ekipi Menaxhues e shohin si bazë për krijimin e Asociacionit.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra gjatë një interviste për KosovaPress deklaron se çështja e Asociacionit sipas modelit kroat duhet të diskutohet sepse siç thotë, ato sapo janë hapur. Ajo thotë se se nuk e di se si do të përmblidhet formati i diskutimeve për këtë model apo për propozime të tjera.
“Kjo mbetet të diskutohet, sepse janë vetëm diskutime, të cilat sapo janë hapur nuk e di se si do të përmblidhet ky format i diskutimeve lidhur me propozimin kroat ose propozimet tjera kemi dëgjuar pak nga kryeministri ai nuk ka ardhur në Kuvend për të informuar qytetarët e Kosovës as për rrjedhën e dialogut dhe as për temën informuese se cila do të jetë marrëveshja..”, thekson deputetja e PDK-së.
Deliu-Kodra shkarkimin e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit të asociacionit e sheh si përpjekje për të fajësuar qeveritë e kaluara.
Se a do të ketë së shpejti dakordim për Asociacioni, sipas deputetes së PDK-së, mbetet të shihet nga angazhimi i qeverisë Kurti.
Deputetja Deliu-Kodra thotë se me marrëveshjen e Ohrit dhe heqjen dorë nga njohja në qendër për normalizim të raporteve me Serbinë ka një prapakthim dhe degradim në këtë proces.
Gjatë kësaj jave në Kosovë kanë qëndruar delegacione ndërkombëtare, të cilat janë takuar me krerët shtetëror. Të enjten në Kosovë për vizitë ka qëndruar përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ndërsa po ashtu vendin e ka vizituar edhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, e cila si urgjencë ka theksuar nevojën për krijimin e Asociacionit, ndërsa ka ritheksuar pozicionin e ShBA-ve që procesi i normalizimit duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqiti draft-vizionin e Asociacionin gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Draft-vizioni ka ardhur si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin kryeministri Kurti e ka refuzuar, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.